Pianistja shqiptare Anila Aliu ka shënuar një moment të rëndësishëm në karrierën e saj artistike, duke debutuar për herë të parë në Londër, në një koncert që ajo e përshkroi si një arritje të jashtëzakonshme.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Aliu u shpreh thellësisht mirënjohëse për mikpritjen dhe mbështetjen që mori nga publiku londinez, duke e cilësuar këtë performancë si një moment historik në rrugëtimin e saj profesional.

Pianistja falënderoi në mënyrë të veçantë Zëvendësambasadorin e Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar, z. dhe znj. Gashi, për praninë e tyre, si dhe z. Wong për mbështetjen dhe nderimin që i bëri koncertit me pjesëmarrjen e tij. Mirënjohje shprehu gjithashtu për menaxherin artistik Tom Kokona, kolegun dhe mikun e saj Joe Shepherd, si dhe për të gjithë ata që kontribuuan në realizimin e kësaj mbrëmjeje artistike.
“Performimi për herë të parë në këtë qytet, përpara një publiku kaq të ngrohtë, ishte një moment që do ta kujtoj gjithmonë. Jam pafundësisht mirënjohëse për të gjithë ata që ishin pjesë e kësaj mbrëmjeje dhe për ata që punuan pas skenës për ta bërë të mundur këtë debutim,” u shpreh Aliu.\
Debutimi në Londër shënon një tjetër hap të rëndësishëm në karrierën ndërkombëtare të pianistes Anila Aliu, e cila po vazhdon të prezantojë talentin dhe kulturën shqiptare në skenat prestigjioze ndërkombëtare.
KAQPATA


