Në një kohë kur një pasaportë e Kosovës ende mund të vendosë barriera për lëvizjen e qytetarëve të saj, ekziston një tjetër dokument që po i hap Kosovës dyer në mbarë botën: Talenti, puna dhe arti. Një prej emrave që po e dëshmon këtë është pianistja kosovare Anila Aliu, e cila përmes muzikës klasike po e çon emrin e Kosovës në disa prej skenave dhe institucioneve më prestigjioze të muzikës në botë.
E lindur në vitin 2000, Anila Aliu nisi studimet e pianos që në moshën shtatëvjeçare dhe debutoi në skenë në moshën tetëvjeçare. Që nga paraqitjet e para, ajo ka ndërtuar një rrugëtim të bazuar në konkurrime ndërkombëtare, koncerte, masterklasa dhe bashkëpunime me orkestra të njohura. Ajo ka përfunduar Bachelorin dhe Masterin në Interpretim në Piano në Universitetin e Prishtinës, ndërsa më pas vazhdoi formimin profesional në Shtetet e Bashkuara, në Roosevelt University – Chicago College of Performing Arts, ku përfundoi Artist Diploma dhe po ndjek studimet e saj të dyta Master në Piano Performance, nën mentorimin e pianistit dhe profesorit të nominuar për Grammy, Adam Neiman.
Por ajo që e veçon rrugëtimin e Aliut është shtrirja ndërkombëtare e aktivitetit të saj. Ajo ka interpretuar si soliste në Evropë, Azi dhe Amerikë, ndërsa në mesin e skenave ku është paraqitur janë Carnegie Hall, Town Hall dhe Gotham Hall në New York, Beethoven-Haus në Bonn, Vienna International Pianists, Asia Pacific Arts Festival, Bach Festival në Wisconsin, Piano LOOP Festival në Kroaci, si dhe skena të tjera në Shtetet e Bashkuara, Gjermani, Austri, Itali, Zvicër, Francë, Belgjikë, Luksemburg, Meksikë, Tajlandë, Malajzi dhe vende të tjera.
Në repertorin e saj përfshihen vepra të kompozitorëve të mëdhenj të muzikës klasike, ndër ta Beethoven, Chopin, Rachmaninoff, Brahms, Mozart, Prokofiev, Ravel, Bach dhe Liszt. Përmes këtij repertori, Aliu është shfaqur edhe si soliste me Orkestrën Filarmonike të Kosovës, Balkan Mediterranean Orchestra në Itali, Xalapa Filarmonia Orchestra në Meksikë, Eastern Illinois Orchestra, CCPA Orchestra dhe Heartland Festival Orchestra.
Rrugëtimi i saj është shoqëruar edhe me një seri çmimesh dhe vlerësimesh ndërkombëtare. Aliu është shpallur fituese e çmimeve të para dhe speciale në gara si Golden Classical Music Awards në New York, International Piano Competition në Bangkok, San Donà di Piave–Venice, konkursi në Lugano të Zvicrës dhe gara të tjera ndërkombëtare. Në vitin 2026, ajo fitoi edhe North Shore Music Club Competition në Chicago dhe u paraqit si soliste me Heartland Festival Orchestra. Po atë vit, New York State Assembly e nderoi me një Citation për arritjet e saj artistike dhe rolin e saj si zë kulturor i Kosovës në skenën ndërkombëtare.
Edhe vlerësimet që kanë ardhur nga bota e muzikës klasike e kanë vendosur emrin e saj në një kontekst gjithnjë e më ndërkombëtar. Në vitin 2025, ajo u rendit nga burimet e saj profesionale si një prej figurave me ndikim në promovimin e muzikës klasike online, ndërsa gjatë karrierës së saj ka marrë vlerësime nga artistë dhe kritikë ndërkombëtarë për interpretimin, teknikën dhe prezencën skenike.
Por përtej çmimeve, diplomave dhe skenave prestigjioze, rrugëtimi i Anila Aliut ka edhe një dimension tjetër: përfaqësimin e Kosovës.
Sepse në shumë prej vendeve ku ajo ka interpretuar, publiku nuk e njeh Kosovën përmes një dokumenti udhëtimi, por përmes një pianisteje që ngjitet në skenë dhe interpreton veprat e repertorit më të rëndësishëm klasik. Në ato momente, emri “Kosovë” shfaqet në programe koncertesh, festivale, universitete, gara dhe institucione kulturore ndërkombëtare.
Kështu, një artiste që vjen nga Kosova po krijon ura atje ku kufijtë administrativë dhe pengesat e lëvizjes nuk mund të përcaktojnë vlerën e saj artistike.
Anila Aliu nuk po e përfaqëson Kosovën vetëm duke e përmendur atë si vendlindje. Ajo po e përfaqëson përmes punës së saj.
Në çdo koncert, në çdo konkurs dhe në çdo skenë ku emri i saj shoqërohet me “Kosovo”, ajo e vendos vendin e saj në hartën e muzikës klasike botërore. Dhe në një dimension edhe më të gjerë, përmes saj bëhet i dukshëm edhe potenciali artistik shqiptar që vjen nga Kosova.
Pianoja nuk ka kufij. Muzika nuk kërkon vizë. Dhe arti nuk ndalet në kufijtë e një pasaporte.
Kur një pasaportë mund të mos të hapë çdo derë, ndonjëherë është arti ai që troket në to. Anila Aliu po i hap ato dyer me 88 taste, duke e bërë Kosovën të dëgjohet në skenat ku muzika klasike bashkon botën.
KAQPATA


