Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, pritet të paraqitet për intervistim në stacionin policor të këtij qyteti, pas incidentit të ndodhur një ditë më parë me kryetarin e degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Skenderaj, Hysni Mehani.

Sipas raportimeve, para stacionit policor janë grumbulluar qytetarë në përkrahje të Lushtakut, ndërsa fotografi nga vendi i ngjarjes janë publikuar edhe nga mediat lokale.

Ngjarja ndodhi pas një përplasjeje në një lokal të qytetit, ku Mehani pretendon se është sulmuar fizikisht nga Lushtaku. Si pasojë e incidentit, Mehani dhe një aktivist tjetër i Vetëvendosjes pësuan lëndime.

Pas rastit, Sami Lushtaku reagoi publikisht përmes një postimi në Facebook, duke mohuar se ka ushtruar dhunë fizike ndaj Mehanit. Ai deklaroi se reagimi i qytetarëve erdhi pasi, sipas tij, Mehani iu drejtua me fjalët “Sami Serbia”.

Ndërkohë, Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona lidhur me rastin. Prokuroria Themelore në Mitrovicë kishte njoftuar se Lushtaku dhe një person tjetër janë ftuar për intervistim, por fillimisht nuk iu ishin përgjigjur ftesës.

Megjithatë, nënkryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, ka mohuar këto pretendime, duke deklaruar se deri në paraditen e sotme nuk kishte pasur ftesë zyrtare nga prokuroria për Lushtakun.

Nura shtoi se kryetari i Skenderajt do t’i përgjigjet çdo ftese zyrtare nga organet e drejtësisë.

Rasti ka nxitur reagime të shumta politike dhe publike, ndërsa situata në Skenderaj po vazhdon të përcillet me vëmendje të madhe.

KAQPATA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *