Kampioni i Kosovës, FC Drita, ka shënuar një nga arritjet më të rëndësishme në historinë e tij evropiane, duke u pozicionuar në vazon e skuadrave favorite për dy raundet e para kualifikuese të Ligës së Kampionëve 2025/26.
Falë paraqitjeve të qëndrueshme në garat evropiane, përfshirë ndeshjet në Ligën e Konferencës, klubi gjilanas ka grumbulluar 13,625 pikë në ranglistën e UEFA-s dhe është renditur i 133-ti në Evropë – pozicioni më i lartë ndonjëherë për një skuadër nga Kosova.
Në raundin e parë kualifikues, Drita figuron si skuadër favorite së bashku me ekipe si Celje, Shamrock Rovers dhe Borac Banja Luka, duke shmangur kundërshtarët më të fortë në fazën fillestare.
Nëse kalon raundin e parë, Drita pritet të ruajë statusin e favoritit edhe në raundin e dytë, ku mund të shmangë emra të mëdhenj si Crvena Zvezda dhe Dinamo Zagreb.
Ky është një moment historik për futbollin kosovar, pasi për herë të parë një klub nga Kosova renditet si favorit në dy raundet e para të Ligës së Kampionëve, duke reflektuar rritjen e dukshme të klubit në arenën ndërkombëtare.
Në rast suksesi, Drita do të siguronte minimalisht pjesëmarrjen në grupet e Ligës së Konferencës dhe do të vazhdonte garën për një vend në Ligën e Evropës – objektivi kryesor i klubit gjilanas në këtë sezon evropian.
KAQPATA


