Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka paralajmëruar përshkallëzim të veprimeve, nëse nuk arrihet marrëveshje për votimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës.
OVL-UÇK ka njoftuar se të hënën, më 5 tetor, nga ora 12:00, do të mblidhet para Kuvendit të Kosovës, ndërsa u ka bërë thirrje edhe qytetarëve që t’i bashkohen tubimit.
Në njoftimin e saj, organizata ka shprehur pakënaqësi për mungesën e një marrëveshjeje politike dhe procedurale që do të mundësonte, sipas saj, votimin e menjëhershëm të ndryshimeve ligjore.
“Pas dështimit të arritjes së një marrëveshjeje politike për votimin e menjëhershëm të plotësimit dhe ndryshimit të Ligjit për Gjykatën Speciale, si dhe pas lojës së vazhdueshme politike e procedurale të Albin Kurtit me një çështje kaq të ndjeshme, durimi i veteranëve të UÇK-së dhe i qytetarëve të Kosovës po merr fund”, thuhet në deklaratën e OVL-UÇK-së.
Sipas organizatës, tubimi para Kuvendit synon të shprehë pakënaqësinë ndaj qasjes së institucioneve lidhur me këtë çështje.
OVL-UÇK ka deklaruar gjithashtu se kategoritë e dala nga lufta janë të indinjuara me mënyrën se si po trajtohet çështja e ndryshimeve ligjore.
“Afati për arritjen e një marrëveshjeje politike dhe procedurale që do të mundësonte votimin e menjëhershëm të të dy leximeve të plotësimeve dhe ndryshimeve të Ligjit për Gjykatën Speciale, për veteranët e UÇK-së është vetëm deri nesër, e diel”, thuhet në njoftim.
Organizata paralajmëron se, nëse nuk arrihet dakordim deri të dielën, nga e hëna do të ndërmarrë veprime të tjera.
“Veteranëve dhe qytetarëve të Kosovës u është shterur durimi. Të hënën, në ora 12:00, ju ftojmë të gjithëve para Kuvendit të Kosovës”, përfundon njoftimi.
KAQPATA


