Ndryshimet e mundshme në Ligjin për Dhomat e Specializuara po diskutohen në një kohë kur po afrohet afati i 27 nëntorit, i përcaktuar për njoftimin e apelimit të aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Afati për njoftimin e apelit ishte shtyrë pas kërkesës së mbrojtjes së ish-krerëve të UÇK-së, ndërsa si arsye u përmendën kompleksiteti i çështjes dhe koha e nevojshme për përkthimin e aktgjykimit në gjuhën shqipe.

Në këtë situatë, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka ndërmarrë një nismë për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Nisma aktualisht është në pritje të mendimit të Ministrisë së Drejtësisë, para se të mund të procedohet më tej në Kuvendin e Kosovës.

Juristët skeptikë për efektin e ndryshimeve ligjore

Avokatja Fehmije Gashi Bytyqi ka shprehur skepticizëm se ndryshimet ligjore mund të realizohen brenda kohës së mbetur.

Ajo ka theksuar se përveç procedurave institucionale, faktor i rëndësishëm është edhe koha në dispozicion.

“Absolutisht jam skeptike se kjo mund të realizohet, sepse ne mund t’i bëjmë qejf vetit, por duhet ta njohim legjislaturën se si funksionon. Tjetra është faktori kohë”, ka deklaruar Gashi Bytyqi.

Sipas saj, vendimi i Apelit mund të jetë vendim përfundimtar ose çështja mund të rikthehet në rigjykim, gjë që do të ndikonte edhe në kohëzgjatjen e mëtejshme të procesit.

Ajo ka vlerësuar se, pavarësisht zhvillimeve ligjore, mbrojtja duhet të përforcojë strategjinë e saj përballë procesit gjyqësor.

Baraliu kërkon monitorim dhe angazhim diplomatik

Politologu Mazllum Baraliu ka deklaruar se institucionet e Kosovës duhet ta ndjekin nga afër procesin në Dhomat e Specializuara dhe të kenë një angazhim të vazhdueshëm diplomatik.

Sipas tij, Qeveria, Kuvendi dhe Ministria e Punëve të Jashtme duhet të kenë një rol të koordinuar në monitorimin e procesit dhe në komunikimin ndërkombëtar lidhur me zhvillimet në rastin e ish-krerëve të UÇK-së.

“Këtë s’mund ta ndal askush, sepse ajo është formalisht gjykatë e Kosovës, ndërsa në fakt është një surrogate e pashembullt në botë, po flas për Gjykatën Speciale”, ka thënë Baraliu.

Ai ka kërkuar që institucionet të vazhdojnë angazhimin deri në vendimin e shkallës së dytë.

Specialja nuk është përgjigjur për nismën

RTK ka kërkuar përgjigje nga Dhomat e Specializuara lidhur me nismën e PDK-së për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit, por deri në publikimin e raportimit nuk ka pasur përgjigje.

Ndërkohë, deputetët e PDK-së kanë paralajmëruar bojkotimin e të gjitha komisioneve parlamentare deri në procedimin e ndryshimeve të propozuara në Ligjin për Dhomat e Specializuara në Kuvend.

Afati i 27 nëntorit mbetet një nga datat kyçe për zhvillimet e ardhshme në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

KAQPATA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *