Në Prishtinë po mbahet sot “Marshi për Liri”, i organizuar nga platforma qytetare “Liria ka Emër”, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët po përballen me procesin gjyqësor në Hagë.

Marshi ka nisur me tubimin e qytetarëve në sheshet kryesore të kryeqytetit, ndërsa pjesëmarrës nga komuna të ndryshme të Kosovës janë nisur drejt Prishtinës.

Në mesin e figurave që kanë bërë thirrje për pjesëmarrje është edhe ish-deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj.

Haradinaj ka deklaruar se në këtë ditë duhet të tejkalohen dallimet politike dhe të theksohet uniteti i shqiptarëve.

“Sot s’ka parti, sot ka Shqiptari. Kosova ju pret, Çlirimtarë!”, ka shkruar Haradinaj.

Edhe deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, u është drejtuar qytetarëve para marshit, duke bërë thirrje për pjesëmarrje masive dhe duke theksuar rëndësinë e kujtesës historike.

Në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së është shprehur edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama ka deklaruar se beson në të vërtetën dhe lirinë e Hashim Thaçit.

Në Prishtinë janë ndërmarrë masa të veçanta të sigurisë për mbarëvajtjen e marshit. Policia e Kosovës ka paralajmëruar kufizime të përkohshme në disa rrugë dhe ka bërë thirrje për respektimin e udhëzimeve të zyrtarëve policorë.

Marshi zhvillohet në sheshet “Zahir Pajaziti”, “Nëna Terezë” dhe “Skënderbeu”, ndërsa tubimi kryesor është paraparë në sheshin “Skënderbeu”.

Për shkak të pjesëmarrjes së qytetarëve nga pjesë të ndryshme të Kosovës, janë raportuar edhe kolona automjetesh në drejtim të kryeqytetit.

Ndërkohë, Komuna e Prishtinës ka bërë të ditur se transporti urban në kryeqytet është falas gjatë ditës së sotme, ndërsa është ofruar edhe parking falas te Pallati i Rinisë.

KAQPATA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *