Kryetari i LPD-së, Shqiprim Musliu, ka kërkuar bashkim politik të subjekteve shqiptare në Bujanoc, në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Serbi.
Musliu, përmes një reagimi në Facebook, ka rikthyer në vëmendje thirrjet e bëra dy vite më parë nga Tirana dhe Prishtina për krijimin e një liste të përbashkët shqiptare, me synim përfaqësimin dhe mbrojtjen e interesave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Ai është shprehur hapur në mbështetje të një liste të përbashkët, duke argumentuar se bashkimi politik do t’u jepte shqiptarëve më shumë peshë dhe përfaqësim.
“Unë jam plotësisht për një listë të përbashkët, sepse vetëm të bashkuar mund të kemi më shumë peshë dhe zë”, ka shkruar Musliu.
Megjithatë, ai ka theksuar se uniteti politik nuk duhet të shihet vetëm në funksion të zgjedhjeve parlamentare në Serbi.
Sipas tij, bashkimi duhet të nisë në nivel lokal, veçanërisht në Bujanoc, ku partitë shqiptare duhet të gjejnë një platformë të përbashkët.
“Por çfarë kuptimi do të ketë në parlamentare të bashkuar, e në lokale të përçarë”, është shprehur ai.
Musliu ka propozuar që subjektet politike shqiptare të ulen në një tryezë dhe të diskutojnë për tejkalimin e dallimeve politike.
“Hapi i parë duhet të jetë këtu, në Bujanoc, të ulemi bashkë, të gjejmë gjuhën e përbashkët dhe të bëhemi një. Pastaj, si të bashkuar, mund të mendojmë për çdo hap tjetër”, ka deklaruar kryetari i LPD-së.
Në fund të reagimit, Musliu ka përcjellë një mesazh të drejtpërdrejtë për unitet politik, duke theksuar se përçarja nuk i shërben interesave të shqiptarëve.
“Përçarja nuk na çon përpara, bashkimi na jep forcë”, ka shkruar ai.
Në Serbi pritet të zhvillohen zgjedhje të parakohshme parlamentare, ndërsa gjatë muajit tetor janë paraparë edhe zgjedhjet për Këshillin Kombëtar Shqiptar.
KAQPATA


