Organizata “Albanians for America” ka shprehur mbështetje për kandidaturën e Prof. Dr. Bekim Sejdiut për President të Republikës së Kosovës, pas marrëveshjes së arritur ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Në një deklaratë publike, organizata ka vlerësuar përvojën akademike dhe profesionale të Sejdiut, duke e cilësuar atë si një kandidat me angazhim të dëshmuar ndaj shtetësisë së Kosovës, vlerave demokratike dhe forcimit të pozitës ndërkombëtare të vendit.

“Albanians for America” ka bërë thirrje që deputetët e Kuvendit të Kosovës ta trajtojnë procesin e zgjedhjes së presidentit mbi bazën e interesit shtetëror dhe nevojës për institucione të qëndrueshme e të besueshme.

Sipas organizatës, Kosovës i nevojitet një president që mund të luajë rol unifikues, të përfaqësojë interesat shtetërore dhe të kontribuojë në forcimin e partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara dhe orientimin euroatlantik të vendit.

“Albanians for America” u ka bërë thirrje deputetëve që të mos vonojnë procesin dhe të përmbushin përgjegjësinë e tyre kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit të Republikës.

Kandidatura e Bekim Sejdiut vjen në kuadër të marrëveshjes politike të arritur mes LVV-së dhe LDK-së, pas takimeve ndërmjet liderëve të dy subjekteve, Albin Kurtit dhe Lumir Abdixhikut.

Sejdiu raportohet se e ka pranuar kandidaturën, duke deklaruar se është i gatshëm të vihet në shërbim të shtetit dhe qytetarëve.

Ndërkohë, kandidatura e tij ka nxitur reagime të ndryshme në skenën politike dhe publike, me qëndrime si në mbështetje, ashtu edhe kundër saj.

KAQPATA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *