Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka dalë kundër kandidaturës së Bekim Sejdiut për president të Kosovës, duke thënë se nuk do ta mbështesë atë në procesin e zgjedhjes.

Reagimi i Hotit vjen pak kohë pasi LDK-ja dhe Lëvizja Vetëvendosje (LVV) zyrtarizuan marrëveshjen për kandidatin e përbashkët për president, me profesorin doktor Bekim Sejdiu si emrin e dakorduar.

Hoti ka sqaruar se kundërshtimi i tij nuk lidhet me çështje personale ndaj Sejdiut, por me atë që ai e konsideron si parim politik dhe institucional.

“Nuk e përkrah këtë kandidaturë për President të Republikës së Kosovës, jo për arsye personale, por për një parim politik dhe institucional”, ka shkruar Hoti.

Hoti: Presidenti duhet të jetë figurë unifikuese

Sipas deputetit të LDK-së, presidenti i Kosovës duhet të jetë një figurë që mund të krijojë konsensus të gjerë politik dhe shoqëror, duke qëndruar mbi interesat e partive.

Hoti ka thënë se, sipas vlerësimit të tij, kandidatura e Sejdiut nuk e përmbush këtë kriter.

“Në vlerësimin tim, kjo kandidaturë nuk e përmbush këtë kriter”, ka deklaruar ai.

Ai ka kritikuar edhe mënyrën se si është arritur marrëveshja ndërmjet LDK-së dhe LVV-së.

Sipas Hotit, kandidatura e dakorduar nuk pasqyron interesat dhe parimet politike të LDK-së dhe pritjet e elektoratit të saj.

Kritika ndaj marrëveshjes LVV-LDK

Hoti ka shprehur gjithashtu shqetësimin e tij për procesin përmes të cilit është përzgjedhur kandidati për president.

Ai ka thënë se krijohet përshtypja se LDK-ja ka penguar kandidatura të tjera politike për t’i hapur rrugë një kandidature që, sipas tij, sërish mbetet politike.

“LDK duhet të ketë një qëndrim të qartë, të pavarur dhe të përgjegjshëm. Nuk mund të mbështesim një kandidaturë vetëm për hir të një marrëveshjeje politike, nëse ajo nuk përfaqëson parimet, interesat dhe pritjet e elektoratit të LDK-së”, ka shkruar Hoti.

Kandidatura e Bekim Sejdiut tashmë pritet të jetë një nga çështjet kryesore të debatit politik në ditët në vijim, veçanërisht brenda LDK-së, pas qëndrimeve të ndryshme të zyrtarëve të saj.

Marrëveshja mes LVV-së dhe LDK-së për kandidatin presidencial është bërë publike më 31 gusht, ndërsa Sejdiu ka konfirmuar se e ka pranuar kandidaturën dhe se është vënë në shërbim të shtetit dhe qytetarëve.

KAQPATA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *