Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kanë arritur marrëveshje për kandidatin e përbashkët për president të Kosovës, ndërsa emri i dakorduar është profesori doktor Bekim Sejdiu.
Pas një serie takimesh mes kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, palët janë pajtuar që Sejdiu të jetë kandidati për postin e presidentit të Republikës së Kosovës.
Sejdiu, i cili nuk është figurë partiake, ka pranuar kandidaturën dhe ka deklaruar se është i gatshëm të vihet në shërbim të shtetit dhe qytetarëve.
Marrëveshja mes dy subjekteve politike vjen pas një periudhe diskutimesh intensive për gjetjen e një emri që do të mund të siguronte mbështetje të mjaftueshme politike për zgjedhjen e presidentit.
Reagimet e para
Pas zyrtarizimit të marrëveshjes, kanë nisur edhe reagimet e para nga skena politike.
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, e ka mirëpritur marrëveshjen, duke e konsideruar atë si një hap të rëndësishëm drejt tejkalimit të ngërçit politik dhe funksionalizimit të institucioneve.
Mbështetje për kandidaturën e Sejdiut ka shprehur edhe ish-presidentja dhe deputetja e zgjedhur e LDK-së, Vjosa Osmani. Ajo e ka vlerësuar atë si profesionist dhe figurë me integritet.
Në anën tjetër, deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka bërë të ditur se nuk do ta mbështesë kandidaturën e Sejdiut.
Hoti ka shprehur kundërshtimin e tij ndaj kandidaturës, duke argumentuar se Sejdiu nuk është figura unifikuese që, sipas tij, kërkohet për postin e presidentit.
Sejdiu pranon kandidaturën
Vetë Bekim Sejdiu ka konfirmuar pranimin e kandidaturës për president, pas marrëveshjes së arritur ndërmjet LVV-së dhe LDK-së.
Ai ka deklaruar se e ka pranuar propozimin me përgjegjësinë për t’i shërbyer shtetit dhe qytetarëve.
Tashmë vëmendja është përqendruar te procesi i zgjedhjes së presidentit dhe mbështetja që kandidatura e Sejdiut do të marrë në Kuvendin e Kosovës.
KAQPATA


