Një drejtues i një mjeti lundrues Jet Ski është gjobitur me 500 mijë lekë të reja pasi shkeli perimetrin e sigurisë dhe hyri në zonën e përcaktuar për larjen e pushuesve në Ksamil.
Ngjarja është konstatuar gjatë patrullimit të Policisë Kufitare dhe Njësisë Policore Detare në sektorin detar të Ksamilit, konkretisht në zonën e “Ishujve të Ksamilit”.
Sipas Policisë, Jet Ski kishte hyrë në hapësirën ku po laheshin pushuesit, duke rrezikuar drejtpërdrejt sigurinë e tyre.
Shërbimet policore kanë ndërhyrë menjëherë për ndalimin e mjetit lundrues. Pas përfundimit të procedurave administrative, Jet Ski është bllokuar.
Drejtuesi i mjetit, shtetasi me inicialet P. A., është ndëshkuar me masë administrative prej 500 mijë lekësh të reja.
Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare kanë bërë të ditur se kontrollet dhe patrullimet do të vijojnë përgjatë vijës bregdetare, me qëllim garantimin e sigurisë së pushuesve dhe respektimin e rregullave të lundrimit.
Policia e Shtetit u ka bërë apel përdoruesve të mjeteve lundruese dhe subjekteve që operojnë me to që të respektojnë perimetrat e sigurisë dhe të mos hyjnë në zonat e përcaktuara për pushuesit.
KAQPATA


