
Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, është deklaruar para mediave pas dështimit të 43-të për konstituimin e Kuvendit.
“Kishim edhe një seancë ku sërish opozita refuzoi të marrë pjesë në votim. Ndoshta duhet me i trajtu edhe argumentet e opozitës se pse po vepron kësisoj. Ata thonë që e kemi ndryshuar rendin e ditës, kjo nuk qëndron. Kryesuesi i seancës në përpikëri, ashtu siç shkruan në rregullore, i është përmbajtur rendit të ditës dhe tani kemi mbetur te pika e tretë. Edhe aktgjykimi i fundit i Kushtetueses konfirmon që nuk ka pasur ndryshim të rendit të ditës”, deklaroi Haxhiu.
Ajo theksoi se në seancën konstituive nuk lejohet debat dhe përsëriti qëndrimin e saj: nëse nuk i merr 61 vota në votim të fshehtë, do të tërhiqet.
“Së pari, ne kemi një komision që po përpiqemi ta formojmë që 35 herë. E dyta, është e drejta e VV të bëjë propozimin për kryetar të Kuvendit. Nëse ne pranojmë që të tjerët të na përcaktojnë emrin e kryetarit të Kuvendit, kjo bie ndesh me vullnetin e popullit. Kushtetuesja nuk ka vendosur një kriter se sa herë duhet të kandidojë një kandidat. E rëndësishme është që nëse në votim të fshehtë nuk i kam 61 vota, kam thënë që tërhiqem. Ka qenë qëndrim i njëanshëm i imi, por që është respektuar nga VV”, përfundoi ajo.
KAQPATA