Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka reaguar ndaj raportimeve lidhur me mospjesëmarrjen e Kosovës në Samitin e NATO-s, duke sqaruar se vendi nuk ka marrë ftesë për pjesëmarrje pasi nuk është anëtar i Aleancës dhe aktualisht nuk është pjesë e Programit të Partneritetit për Paqe (PfP).
Përmes një komunikate zyrtare, MPJD theksoi se Samitet e NATO-s janë takime të krerëve të shteteve dhe qeverive të 32 vendeve anëtare të Aleancës, ndërsa në raste të veçanta mund të ftohen edhe partnerë të NATO-s, varësisht nga temat e agjendës.
Sipas ministrisë, në samitin e radhës që do të mbahet në Ankara, përveç vendeve anëtare, ftesë kanë marrë edhe partnerët e NATO-s në kuadër të grupit Indo-Pacific Four (IP4), përkatësisht Japonia, Koreja e Jugut, Australia dhe Zelanda e Re, si dhe Ukraina.
“Republika e Kosovës nuk merr pjesë në Samitet e NATO-s në cilësinë e shtetit pjesëmarrës, pasi nuk është shtet anëtar i Aleancës dhe aktualisht nuk është pjesë e Programit të Partneritetit për Paqe”, thuhet në reagimin e MPJD-së.
Ministria ka sqaruar gjithashtu se Kosova deri më tani nuk ka marrë pjesë në ndonjë Samit të NATO-s si shtet pjesëmarrës. Pjesëmarrja e mëhershme e përfaqësuesve të Kosovës ka qenë në kuadër të aktivitetit “Women, Peace and Security” (Gratë, Paqja dhe Siguria), të organizuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit në margjinat e samiteve të NATO-s.
Sipas MPJD-së, ky aktivitet ishte i ndarë nga samiti zyrtar dhe nuk përbënte pjesëmarrje të Kosovës në vetë Samitin e NATO-s.
Në fund, ministria ritheksoi se Kosova mbetet e përkushtuar për forcimin e bashkëpunimit me NATO-n dhe vendet anëtare të saj, si dhe për avancimin e objektivit strategjik për anëtarësim të plotë në Aleancën Veriatlantike.
KAQPATA


