
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, i është kundërpërgjigjur deklaratës së Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), e cila ditë më parë njoftoi se vendimi për liberalizimin e tregut të energjisë nuk është pezulluar dhe se rasti gjyqësor që po diskutohet është individual.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Rafuna theksoi se pavarësisht se padia e paraqitur i përket një kompanie të vetme, bëhet fjalë për një situatë me ndikim të gjerë. Ai theksoi se OEK nuk ka pasur të drejtë ligjore të ngrejë padi në emër të 1.300 bizneseve të tjera të prekura.
“Mundësi e vetme ligjore kjo ka qenë. Meqë nuk ishte vendim si akt administrativ nga ZRRE, por vetëm një njoftim, çdo biznes individualisht mund ta kundërshtojë atë. Janë qindra padi të tjera që po vijnë në Gjykatën Komerciale. Vendimi i sotëm është vetëm i pari — dhe është lajm shumë i mirë për komunitetin e biznesit,” tha Rafuna.
ZRRE ndërkohë ka sqaruar se procesi në fjalë nuk ka ndikim të përgjithshëm dhe se liberalizimi i tregut të energjisë vazhdon sipas planit.
Tensionet mes institucioneve rregullatore dhe përfaqësuesve të biznesit pritet të thellohen më tej në javët në vijim, teksa Gjykata Komerciale do të përballet me një numër të madh padish që sfidojnë mënyrën e zbatimit të liberalizimit energjetik në Kosovë.
KAQPATA