Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar ndaj debateve që kanë shoqëruar projektet e investimeve në Ishullin e Sazanit dhe zonën e Zvërnecit, duke theksuar se asnjë pjesë e territorit shqiptar nuk është nxjerrë në shitje dhe se të gjitha procedurat po zhvillohen në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama sqaroi se Ishulli i Sazanit mbetet pronë e shtetit shqiptar dhe nuk ka qenë asnjëherë objekt shitjeje. Sipas tij, modeli i zhvillimit të parashikuar bazohet në partneritet me investitorë strategjikë, ku shteti shqiptar do të mbajë pjesëmarrje në projekt.

Ai bëri të ditur se negociatat me investitorët vijojnë dhe se ende nuk është arritur një marrëveshje përfundimtare për realizimin e projektit.

Sa i përket investimit të planifikuar në Zvërnec, Rama theksoi se toka ku parashikohet zhvillimi është pronë private e regjistruar prej vitesh në kadastër. Ai sqaroi se transaksionet e kryera janë marrëdhënie mes subjekteve private, ndërsa pretendimet e tjera pronësore po trajtohen nga institucionet gjyqësore.

Kryeministri shtoi se projekti në Zvërnec nuk ka marrë ende leje ndërtimi dhe ndodhet në fazën e përgatitjes së dokumentacionit teknik. Sipas tij, investitorët janë të detyruar t’i nënshtrohen një Vlerësimi të Thelluar të Ndikimit në Mjedis përpara çdo vendimi përfundimtar.

Rama hodhi poshtë gjithashtu pretendimet se është ndryshuar statusi i zonave të mbrojtura për t’i hapur rrugë investimit. Ai theksoi se zona Pishë Poro-Nartë vazhdon të mbetet “Peizazh i Mbrojtur” dhe se ligji shqiptar lejon zhvillime të kontrolluara në këto zona, në përputhje me standardet evropiane.

Në fund, kreu i qeverisë akuzoi kritikët për përhapje dezinformimi, duke deklaruar se institucionet shqiptare kanë vepruar me transparencë dhe profesionalizëm. Ai ritheksoi se Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë investimet strategjike, duke respektuar ligjin, mbrojtjen e mjedisit dhe interesin publik.

KAQPATA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *