Presidenti amerikan Donald Trump ka konfirmuar arritjen e një marrëveshjeje me Iranin, duke e cilësuar atë si një hap historik drejt uljes së tensioneve dhe rikthimit të stabilitetit në rajon.
Në një deklaratë publike, Trump njoftoi se Ngushtica e Hormuzit do të hapet për lundrim ndërkombëtar dhe se Shtetet e Bashkuara do të heqin menjëherë bllokadën detare ndaj porteve iraniane.
“Anijet e botës, ndizni motorët. Le të rrjedhë nafta”, deklaroi Trump, duke shtuar se marrëveshja me Republikën Islamike të Iranit tashmë është përfunduar.
Sipas presidentit amerikan, autoritetet amerikane kanë dhënë miratimin për hapjen pa pagesë të Ngushticës së Hormuzit, ndërsa masat kufizuese detare ndaj Iranit do të hiqen menjëherë.
Lajmin e ka konfirmuar edhe kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, i cili tha se të dyja palët kanë rënë dakord për ndërprerjen e menjëhershme dhe të përhershme të operacioneve ushtarake në të gjitha frontet.
Sipas Sharifit, ceremonia zyrtare e nënshkrimit të marrëveshjes pritet të mbahet më 19 qershor në Zvicër.
“Dëshirojmë të falënderojmë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Republikën Islamike të Iranit për përkushtimin e tyre në gjetjen e një zgjidhjeje diplomatike për konfliktin”, deklaroi ai.
Megjithatë, deri më tani autoritetet iraniane nuk kanë publikuar një deklaratë zyrtare lidhur me këto pretendime dhe nuk kanë konfirmuar publikisht detajet e marrëveshjes së përmendur nga Trump dhe Sharif.
Zhvillimet e fundit vijnë pas javësh tensionesh dhe përplasjesh që kishin rritur shqetësimet për një konflikt më të gjerë në Lindjen e Mesme dhe ndikimin e tij në tregjet globale të energjisë.
KAQPATA


