FIFA është përballur me një valë kritikash nga tifozët pas ceremonisë hapëse të Kupës së Botës 2026 në SHBA, ku pamjet e tribunave me shumë ulëse bosh shkaktuan reagime të shumta në rrjetet sociale.

Botërori nisi me përballjen mes SHBA-së dhe Paraguait në stadiumin SoFi të Los Anxhelosit, por vëmendja nuk u përqendrua vetëm te futbolli. Shumë tifozë ngritën shqetësime për pjesëmarrjen e ulët gjatë ceremonisë hapëse, duke lidhur situatën me çmimet e larta të biletave dhe interesimin më të vogël se sa pritej.

Ceremonia zyrtare u zhvillua rreth 70 minuta para fillimit të ndeshjes, por në atë kohë një pjesë e konsiderueshme e vendeve në stadium ende nuk ishin mbushur. Pamjet e tribunave u shpërndanë me shpejtësi në rrjetet sociale, duke nxitur komente të shumta kritike ndaj FIFA-s.

Shumë tifozë e krahasuan atmosferën me ceremoninë e hapjes në Meksikë, ku stadiumi ishte i mbushur dhe atmosfera konsiderohej shumë më elektrizuese.

“Stadiumi është shumë bosh për ceremoninë hapëse të SHBA-së”, shkroi një tifoz në platformën X.

Një tjetër komentoi: “Dallimi mes ceremonive në Meksikë dhe SHBA është i madh. Njëra kishte tribuna të mbushura dhe atmosferë Botërori, ndërsa tjetra shumë ulëse bosh”.

Pavarësisht kritikave, ceremonia solli performanca të artistëve të njohur ndërkombëtarë. Future dhe Tyla interpretuan këngën “Game Time”, ndërsa Lisa, Rema dhe Anitta performuan hitin “Goals”. Spektakli u pasurua edhe nga paraqitja e yllit të muzikës pop, Katy Perry, si dhe nga ekspozimi i një trofeu gjigant të Kupës së Botës në qendër të stadiumit.

Ndërkohë, mbrojtësi amerikan Tim Ream kishte deklaruar para ndeshjes se priste një stadium të mbushur dhe një atmosferë të jashtëzakonshme, duke theksuar rëndësinë historike të momentit për futbollin amerikan.

Kupës së Botës 2026 i është shtuar kështu një debat i ri që në ditët e para, pasi shumë tifozë po kritikojnë FIFA-n për politikën e çmimeve dinamike të biletave, ndërsa raportimet treguan se edhe pak ditë para ndeshjes hapëse kishte ende qindra bileta të pashitura.

Megjithatë, organizatorët shpresojnë që interesimi të rritet ndjeshëm me zhvillimin e ndeshjeve të ardhshme dhe me hyrjen në garë të kombëtareve më të mëdha të turneut.

KAQPATA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *