
Arbnor Spahiu, ish-pjesëtar i Njësisë Speciale Operative të Policisë së Kosovës, është ndaluar nga autoritetet serbe dhe është dënuar me 30 ditë paraburgim. Ndalimi u bë dy ditë më parë, ndërsa sot gjykatat serbe vendosën për masën e paraburgimit.
Sipas avokatit të tij, Arianit Koci, ky veprim është i motivuar politikisht dhe i pambështetur në asnjë provë konkrete. Koci, i cili pritet të udhëtojë drejt Suboticës për ta përfaqësuar klientin e tij personalisht, ka kërkuar reagim të menjëhershëm nga institucionet më të larta të Kosovës.
“Vendimi është i padrejtë, politik dhe i papranueshëm. Arbnor Spahiu ka përfunduar shërbimin në Policinë e Kosovës që nga nëntori i vitit 2021 dhe nuk ka lidhje me rastin e Banjskës të vitit 2023,” – tha Koci.
Ky është rasti i radhës ku qytetarë të Kosovës, sidomos ish-pjesëtarë të strukturave të sigurisë, po përballen me ndalime e arrestime në Serbi, shpeshherë në rrethana të paqarta dhe të dyshimta.
KAQPATA