Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë në Konferencën e Nëntë për Shëndetin, Mirëqenien, Edukimin dhe të Drejtat e Fëmijëve, ku ka theksuar rëndësinë e mbrojtjes dhe përkujdesjes së vazhdueshme për fëmijët.
Në fjalën e saj, Haxhiu tha se pavarësisht progresit të arritur ndër vite, fëmijët në Kosovë vazhdojnë të përballen me sfida të shumta, duke nënvizuar se të drejtat e tyre duhet të zbatohen në praktikë dhe jo vetëm të mbeten pjesë e legjislacionit.
“Fëmijët nuk kërkojnë gjëra të pamundura. Ata kërkojnë siguri, respekt dhe mbështetje. Nuk duhet të përballen me paragjykime, përjashtim apo mungesë të ndihmës profesionale kur kanë vështirësi në zhvillim, mësimnxënie apo shëndet mendor”, deklaroi Haxhiu.
Ajo vlerësoi se një nga gabimet më të mëdha të shoqërisë është pritja që fëmijët të përballojnë vetë sfida që shpesh edhe të rriturit do ta kishin të vështirë t’i kalonin.
Sipas saj, çdo fëmijë ka të drejtë të shprehë emocionet, frikërat dhe pasiguritë e tij, ndërsa institucionet duhet të sigurojnë mbështetje të hershme dhe profesionale.
Haxhiu theksoi se Kosova ka krijuar një bazë të rëndësishme ligjore për mbrojtjen e fëmijëve, por suksesi i sistemit matet me shërbimet konkrete që marrin ata dhe familjet e tyre.
“A e di familja ku të drejtohet kur ka nevojë? A reagon shkolla me kohë? A ka mjaftueshëm psikologë dhe shërbime të qasshme në komuna? Këto janë pyetje që kërkojnë përgjigje konkrete”, u shpreh ajo.
Duke folur për rëndësinë e hulumtimeve dhe përvojës profesionale në terren, Haxhiu tha se të dhënat dhe vlerësimet profesionale janë mjete të domosdoshme për ndërtimin e politikave më efektive në mbështetje të fëmijëve.
Në fund, ajo rikujtoi se 1 Qershori nuk duhet të jetë vetëm një ditë feste, por edhe një moment reflektimi për institucionet dhe shoqërinë.
“Fëmijët kanë nevojë për 365 ditë vëmendje, mbrojtje dhe kujdes”, theksoi Haxhiu.
Ajo falënderoi organizatorët e konferencës dhe profesionistët që punojnë çdo ditë me fëmijët, duke shprehur shpresën se nga ky takim do të dalin ide dhe iniciativa konkrete për përmirësimin e mirëqenies së tyre.
KAQPATA


