Zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë në Maqedonia e Veriut, Arben Fetai, ka njoftuar dorëheqjen e tij nga detyra që mbante në Qeveri.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Fetai përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka konfirmuar se dorëheqjen ia ka dorëzuar kryeministrit të vendit.

“Sot i dorëzova Kryeministrit dorëheqjen time nga detyra e Zëvendëskryeministrit përgjegjës për Qeverisjen e Mirë. Gjatë këtyre dy viteve kam pasur nderin dhe privilegjin t’i shërbej vendit, duke kontribuar në reforma që synojnë forcimin e llogaridhënies, transparencës dhe shtetit të së drejtës”, ka shkruar ai.

Fetai ka vlerësuar se gjatë mandatit të tij janë hedhur themele të rëndësishme për avancimin e reformave institucionale, megjithëse ka pranuar se mbetet ende punë për t’u bërë.

“A jam plotësisht i kënaqur me atë që kemi arritur? Sigurisht që jo. Gjithmonë ka hapësirë për më shumë, për më mirë dhe për më shpejt. Por a kam punuar me përkushtimin maksimal për të vendosur themele të shëndosha mbi të cilat mund të ndërtohet më tej? Pa asnjë mëdyshje, po”, është shprehur ai.

Sipas Fetait, largimi nga posti është një vendim i menduar mirë dhe i marrë me bindjen se në rrethanat aktuale kjo është zgjedhja më e drejtë dhe më dinjitoze.

Deri më tani nuk janë bërë të ditura detaje shtesë mbi arsyet konkrete të dorëheqjes së tij apo hapat e ardhshëm politikë.

KAQPATA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *