Çështja e njohjes së Kosovës nga Greqia ka qenë një nga temat kryesore të diskutimit gjatë një takimi të zhvilluar në Uashington mes Këshillit për Marrëdhënie Shqiptaro-Amerikane (AARC) dhe kongresistes amerikane me prejardhje greke, Nicole Malliotakis.

Lajmi u bë i ditur nga presidenti i AARC-së, Martin Vulaj, i cili njoftoi se gjatë takimit u diskutuan zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, marrëdhëniet shqiptaro-amerikane dhe sfidat me të cilat përballen shqiptarët në rajon.

Sipas AARC-së, një nga pikat kyçe të bisedimeve ishte forcimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Greqisë, me synimin që bashkëpunimi më i ngushtë ndërmjet dy vendeve të krijojë kushtet për njohjen zyrtare të Kosovës nga Athina.

“Një nga temat kryesore të diskutimit ishte forcimi i marrëdhënieve mes Greqisë dhe Kosovës dhe inkurajimi i bashkëpunimit më të ngushtë që në të ardhmen mund të çojë drejt njohjes zyrtare të Kosovës nga Greqia”, thuhet në njoftimin e organizatës.

Gjatë takimit u diskutua edhe për pozitën e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Përfaqësuesit e AARC-së theksuan rëndësinë e zbatimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit dhe nevojën për vazhdimin e angazhimit amerikan në monitorimin e proceseve demokratike dhe institucionale në vend.

Kongresistja Malliotakis, sipas njoftimit, shfaqi interes të veçantë për zhvillimet gjeopolitike në rajon, duke ngritur pyetje rreth ndikimit rus dhe kinez në Ballkan, si dhe rolit që Serbia ushtron në shtetet e rajonit.

Përfaqësuesit e AARC-së nënvizuan se Kosova vazhdon të mbetet ndër vendet më pro-amerikane në botë, ndërsa Shqipëria dhe komunitetet shqiptare në Maqedoninë e Veriut dhe Mal të Zi kanë dëshmuar vazhdimisht mbështetje të fuqishme për Shtetet e Bashkuara dhe partneritetin transatlantik.

Në takim u diskutuan gjithashtu përpjekjet e Serbisë për të ushtruar ndikim politik, ekonomik, mediatik dhe të sigurisë në disa vende të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën, Bosnje e Hercegovinën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.

Delegacioni i AARC-së u udhëhoq nga kryetari Eli Rusi dhe përfshinte nënkryetarin Tony Marke, sekretarin Burim Rexhaj, anëtarët e bordit Agim Jusufi dhe Vehbi Bajrami, si dhe mbështetës të tjerë të organizatës.

KAQPATA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *