Modelja dhe ish-banorja e Big Brother VIP Kosova, Xhuli Nura, ka reaguar publikisht pas komenteve dhe kritikave që mori për vendimin e saj për t’u bërë nënë e vetme përmes fekondimit in vitro (IVF).

Në një intervistë për Kosova Live, ajo shpjegoi arsyet që e shtynë drejt këtij vendimi, duke theksuar se një fëmijë ka nevojë mbi të gjitha për dashuri, përkujdesje dhe një ambient të shëndetshëm familjar.

“E vetmja gjë që i nevojitet fëmijës është një fëmijëri e lumtur dhe një nënë e lumtur, e përmbushur, që i ofron gjithçka që i duhet. Nuk po them që babai nuk është i rëndësishëm, është shumë i rëndësishëm, por nuk do të thotë që nesër nuk mund të vijë një person që do të jetë prind. Jo gjithmonë prindi biologjik është prindi ideal për fëmijën”, u shpreh Xhuli.

Ajo shtoi se, sipas bindjes së saj, është më mirë që një fëmijë të rritet në një mjedis të qetë dhe pa trauma sesa në një familje ku mbizotërojnë konfliktet, dhuna apo tradhtia.

“Shpeshherë është më mirë të jesh vetëm sesa me njerëz të gabuar që lënë trauma te familja dhe te fëmijët”, deklaroi ajo.

Duke iu përgjigjur akuzave se vendimi i saj është egoist, Xhuli theksoi se egoizëm është braktisja e fëmijëve dhe jo dëshira për t’u ofruar atyre dashuri dhe një jetë të dinjitetshme.

“Egoizmi është kur krijon një familje dhe e lë fëmijën në spital, në jetimore apo në rrugë. Nuk është egoizëm kur një prind bën gjithçka që fëmija i tij të rritet me të gjitha të mirat”, u shpreh ajo.

Deklarata e Xhulit vjen pasi ish-banorja e Big Brother VIP Kosova 3, Xheneta Fetahu, e kritikoi ashpër vendimin e saj, duke argumentuar se një fëmijë ka të drejtë të njohë babanë biologjik.

Vendimi i Xhuli Nurës për t’u bërë nënë e vetme përmes IVF-së ka hapur një debat të gjerë në rrjetet sociale, ku opinioni publik vazhdon të jetë i ndarë mes mbështetjes dhe kritikave për zgjedhjen e saj.

KAQPATA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *