Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka njoftuar se Shqipëria është zgjedhur me votë unanime Presidente e organizatës “Forest Europe” për periudhën 2026-2030, duke marrë drejtimin e kësaj platforme pan-evropiane nga Suedia.

Lajmin e bëri të ditur vetë Rama përmes një reagimi në rrjetet sociale, ku theksoi se vendimi është marrë me mbështetjen e plotë të 45 vendeve anëtare, pa asnjë votë kundër.

“Shqipëria e tradhtarëve sapo u zgjodh me votë unanime të 45 vendeve anëtare si Presidente e Forest Europe për periudhën 2026-2030, duke marrë stafetën nga Suedia”, shkroi Rama, duke ironizuar kritikat që, sipas tij, i janë bërë vendit për çështjet mjedisore dhe menaxhimin e pyjeve.

Forest Europe konsiderohet si platforma më e rëndësishme evropiane për politikat e pyjeve dhe menaxhimin e qëndrueshëm të tyre. Organizata bashkon 45 shtete evropiane dhe Bashkimin Evropian për të koordinuar politikat që lidhen me mbrojtjen e biodiversitetit pyjor, luftën kundër ndryshimeve klimatike dhe zhvillimin e ekonomisë së gjelbër.

Sipas Ramës, gjatë katër viteve të ardhshme Shqipëria do të udhëheqë procesin politik dhe ministerial të organizatës, duke koordinuar prioritetet dhe diskutimet strategjike në nivel evropian për sektorin e pyjeve.

Kryeministri e cilësoi këtë zhvillim si një sukses të rëndësishëm diplomatik për vendin, duke theksuar se zgjedhja forcon pozicionin ndërkombëtar të Shqipërisë dhe rrit rolin e saj në diplomacinë mjedisore evropiane.

Ky mandat pritet t’i japë Shqipërisë një rol më të madh në hartimin e politikave mjedisore dhe në promovimin e menaxhimit të qëndrueshëm të burimeve pyjore në kontinent.

KAQPATA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *