Hollywood-i ka zbuluar emrin e aktorit që do të interpretojë James Bond-in e ri. Robert Pattinson është prezantuar zyrtarisht si pasardhësi i Daniel Craig në rolin e agjentit më të famshëm sekret në historinë e kinemasë.

Lajmi është bërë publik të hënën, më 16 nëntor 2026, përmes një videoje të publikuar në Instagram dhe platformën X, duke i dhënë fund muajve të tërë spekulimesh rreth emrit të aktorit që do të marrë përsipër rolin e agjentit 007.

Videoja e prezantimit nis me një sfond të errët, ndërsa në sfond dëgjohet muzika ikonike e James Bond-it. Një dorë shfaqet duke mbajtur një pistoletë, përpara se kamera të zbulojë gradualisht fytyrën e Robert Pattinsonit.

Emri i tij nuk ishte në listën kryesore të favoritëve

Për muaj të tërë, në mesin e aktorëve që përmendeshin si kandidatë potencialë për rolin e James Bond-it ishin Jack Lowden, Callum Turner, Jacob Elordi, Josh O’Connor dhe Nicholas Hoult.

Megjithatë, emri i Pattinsonit u shfaq vetëm në fazën e fundit të garës, duke ndryshuar papritur parashikimet dhe duke u ngjitur në krye të listave të basteve.

Sipas raportimeve të mediave, aktorit thuhet se i është ofruar një marrëveshje më e favorshme, që përfshin pjesëmarrjen në tre filma, në vend të katër filmave që raportohej se u kërkoheshin disa kandidatëve të tjerë.

Nga Batman te James Bond

Robert Pattinson, 40 vjeç, është një nga aktorët më të njohur të brezit të tij.

Ai fitoi famë ndërkombëtare përmes sagës Twilight, ndërsa më vonë interpretoi në filma të vlerësuar nga kritika, si dhe mori rolin e Bruce Wayne në filmin The Batman.

Kalimi nga Batman te James Bond pritet të jetë një nga sfidat më interesante të karrierës së tij, duke qenë se të dy personazhet janë ndër ikonat më të njohura të kinemasë botërore.

Kush qëndron pas filmit të ri?

Projekti i ri i James Bond-it do të drejtohet nga Denis Villeneuve, i njohur për filmat Dune, ndërsa skenari është shkruar nga Steven Knight, krijuesi i serialit të famshëm Peaky Blinders.

Procesi i përzgjedhjes përfshiu testime para kamerave gjatë muajit tetor, me pjesëmarrjen e Villeneuve, drejtoreshës së kastimit Nina Gold dhe përfaqësuesve të Amazon.

Tashmë, vëmendja është zhvendosur te mënyra se si Pattinson do ta interpretojë agjentin 007 dhe çfarë drejtimi do të marrë epoka e re e kësaj ekskluziviteti filmik.

Një pritje e gjatë për emrin e James Bond-it të ri ka përfunduar, por pritja për filmin e ardhshëm sapo ka filluar.

KAQPATA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *