Gjykata Themelore në Pejë ka caktuar një muaj paraburgim për katër persona të dyshuar në lidhje me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt, përfshirë ish-vjehrrën dhe ish-kunatin e saj.
Sipas njoftimit të gjykatës, Departamenti për Krime të Rënda ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Nurije Sylajt, Driton Sylajt dhe dy personave të tjerë me inicialet M.P. dhe G.B.
Dy prej të dyshuarve, Nurije Sylaj dhe Driton Sylaj, dyshohen për veprën penale “Ndihma në kryerjen e veprës penale – Vrasja e rëndë”.
Ndërkaq, M.P. dhe G.B. dyshohen për veprën penale “Dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprës penale”.
Masa e paraburgimit është caktuar për periudhën nga 24 nëntori deri më 24 dhjetor 2026.
Gjykata ka bërë të ditur se palët kanë të drejtë ankese kundër këtij aktvendimi brenda afatit prej 48 orësh nga momenti i pranimit të tij.
Rasti i Arlinda Zekajt
Arlinda Zekaj, 49-vjeçare, u vra më 25 tetor 2026. Si i dyshuar për kryerjen e vrasjes është ish-kunati i saj, Albert Sylaj.
Ndërkohë, ish-bashkëshorti i saj, Jeton Sylaj, ishte ndaluar nga organet e rendit disa orë para vrasjes, pasi Zekaj e kishte denoncuar për mosrespektim të urdhrit mbrojtës.
Para vrasjes, Arlinda kishte kërkuar vazhdimisht ndihmë dhe kishte paralajmëruar institucionet për rrezikun që i kanosej, duke iu drejtuar Prokurorisë, Gjykatës dhe Policisë.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta në Kosovë, protesta dhe kërkesa për përgjegjësi institucionale. Në kuadër të zhvillimeve pas rastit, janë shkarkuar zyrtarë policorë dhe prokurorë të përfshirë në trajtimin e tij, ndërsa drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka dhënë dorëheqje.
Procedura penale ndaj katër të dyshuarve është në fazën e hetimeve dhe dyshimet ndaj tyre nuk përbëjnë dëshmi përfundimtare të fajësisë.
KAQPATA
