Ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka ngritur shqetësime të forta lidhur me situatën politike dhe presionin ndaj komunitetit serb në Kosovë, duke deklaruar se mbi 20 persona dyshohet se janë larguar nga puna në Graçanicë.

Në një intervistë në “Përballje Podcast” në Telegrafi.com, Rashiq tha se qytetarët në Kosovë janë të lodhur nga zgjedhjet e shpeshta, por sipas tij, situata në komunitetin serb është edhe më e rënduar për shkak të presioneve politike që, siç u shpreh ai, vijnë nga Beogradi zyrtar.

Ai theksoi se fushatat zgjedhore ndaj komunitetit serb gjithnjë e më shumë po marrin formë presioni dhe frikësimi, duke u larguar nga parimet e garës demokratike.

“Normalisht që njerëzit, si shqiptarët ashtu edhe serbët, janë të lodhur me zgjedhje”, deklaroi Rashiq, duke shtuar se çdo proces i ri zgjedhor shoqërohet me rritje të tensioneve dhe ashpërsisë politike.

Sipas tij, në rastin aktual presioni është intensifikuar, pasi fushata e Listës Serbe dhe strukturave të lidhura me Beogradin ka nisur më herët dhe me më shumë ashpërsi.

Duke folur për rastin e Graçanicës, Rashiq tha se rreth 20 persona janë larguar nga vendet e tyre të punës, ndërsa numri i saktë mbetet i paqartë për shkak të frikës së raportimit.

“Disa nuk raportojnë fare nga frika e hakmarrjes ndaj familjarëve të tyre”, u shpreh ai.

Rashiq e cilësoi situatën si presion të hapur politik, duke deklaruar se qytetarët që nuk e mbështesin Listën Serbe po përballen me frikë dhe shantazh.

Sipas tij, ky fenomen po dëmton seriozisht procesin demokratik dhe të drejtën e qytetarëve për zgjedhje të lira brenda komunitetit serb në Kosovë.

KAQPATA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *