Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë të ditur se më 26 maj në Bruksel do të hapet zyrtarisht faza përfundimtare e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Gjatë komunikimit të tij publik, Rama tha se Shqipëria ka përmbyllur me sukses fazën hyrëse të procesit negociues, ndërsa Konferenca Ndërqeveritare Shqipëri–BE do të vulosë kalimin drejt etapës finale të integrimit europian.

Sipas tij, procesi i ballafaqimit mes Komisionit Europian dhe shteteve anëtare në Bruksel për raportin e detyrave të kryera nga Shqipëria ka marrë kohën e nevojshme dhe ka përfunduar pozitivisht.

Rama nuk kurseu kritikat ndaj opozitës shqiptare, të cilën e akuzoi për zhvillimin e një “ofensive energjie negative” ndaj Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

Ai përmendi protestat dhe incidentet në Tiranë, duke thënë se opozita kishte tentuar të dëmtonte imazhin e vendit tek partnerët europianë përmes akteve të dhunshme dhe deklaratave politike kundër procesit të integrimit.

Sipas Ramës, pretendimet se Shqipëria ishte e izoluar dhe se rruga drejt BE-së ishte bllokuar rezultuan të pavërteta.

“Kështu, më 26 maj, në Bruksel, Konferenca Ndërqeveritare Shqipëri – Bashkimi Europian vulos përmbylljen me sukses të fazës hyrëse dhe hap fazën përfundimtare të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian”, deklaroi Rama.

Kreu i qeverisë shqiptare ritheksoi objektivin që Shqipëria të bëhet pjesë e Bashkimit Europian brenda kësaj dekade.

KAQPATA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *