Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka shpallur zyrtarisht 4 Korrikun si “Ditën e Miqësisë Amerikane në Prishtinë”, duke theksuar rëndësinë e partneritetit strategjik mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ky vendim, sipas Komunës së Prishtinës, synon të institucionalizojë marrëdhëniet e veçanta mes dy vendeve dhe të riafirmojë orientimin euroatlantik të Kosovës.

Në njoftimin zyrtar thuhet se ky akt përfaqëson një angazhim institucional për forcimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara, të cilat janë cilësuar si aleat historik i Kosovës.

“Mesazhi i këtij akti është i qartë: orientimi ynë strategjik dhe partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është i panegociueshëm”, ka deklaruar Rama.

Sipas Komunës së Prishtinës, shpallja e 4 Korrikut si “Dita e Miqësisë Amerikane” synon të nderojë marrëdhëniet historike dhe rolin e SHBA-së në procesin e shtetndërtimit të Kosovës.

Ky vendim vlerësohet si një hap simbolik që tejkalon ciklet politike dhe mandatet institucionale, duke e vendosur partneritetin me SHBA-në si prioritet afatgjatë.

Rama ka theksuar se ky veprim përfaqëson edhe një riafirmim të orientimit euroatlantik të Kosovës, duke e konsideruar aleancën me SHBA-në si thelbësore për të ardhmen e vendit.

“Ky është një angazhim institucional për ta ruajtur dhe forcuar aleancën që ishte vendimtare për lirinë dhe shtetësinë e Kosovës”, thuhet në deklaratë.

4 Korriku shënohet si Dita e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe konsiderohet një nga datat simbolike më të rëndësishme në raportet ndërkombëtare të Kosovës me SHBA-në.

KAQPATA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *