Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar sërish lidhur me debatin për projektin turistik në Zvërnec, duke marrë si shembull modelin portugez të zhvillimit të turizmit pranë zonave të mbrojtura natyrore. Ai theksoi se zhvillimi ekonomik dhe mbrojtja e natyrës nuk janë procese kundërshtuese, por mund të ecin paralelisht.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama krahasoi Zvërnecin me Ria Formosa, një nga lagunat më të rëndësishme dhe më të mbrojtura në Portugali, e cila sipas tij është shndërruar në një histori suksesi ekonomik falë kombinimit të turizmit elitar me ruajtjen e biodiversitetit.

Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se rajoni i Algarves dikur ishte një zonë me ekonomi të dobët, e mbështetur kryesisht në bujqësi dhe peshkim, por përmes investimeve strategjike në turizëm me vlerë të lartë arriti të transformohej në një nga destinacionet më prestigjioze në Evropë.

Sipas Ramës, zhvillimi i resorteve luksoze pranë zonave natyrore nuk solli dëmtimin e ekosistemit, por përkundrazi e ktheu natyrën në një aset ekonomik dhe turistik.

Ai renditi si përfitime kryesore:

  • Miliarda euro investime private;
  • Mijëra vende të reja pune;
  • Rritje të vlerës së pronave;
  • Të ardhura më të larta nga turizmi;
  • Zgjatje të sezonit turistik gjatë gjithë vitit.

“Natyra dhe zhvillimi mund të bashkëjetojnë. Çështja nuk është nëse kjo është e mundur, por nëse kemi vizionin dhe vullnetin për ta realizuar”, theksoi Rama.

Në fund të reagimit të tij, kryeministri përdori një gjuhë të ashpër ndaj kundërshtarëve të projektit, duke deklaruar:

“Boll i kemi paguar haraç budallallëkut tonë 100 vite. Shqipëria e rilindur turistike do të hyjë në ligën e kampionëve të turizmit botëror.”

Debati për ndërtimin e resortit në Zvërnec ka shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik, ndërsa qeveria shqiptare këmbëngul se projekti do të sjellë zhvillim ekonomik dhe vende të reja pune pa cenuar pasuritë natyrore të zonës.

KAQPATA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *