Parlamenti Evropian ka miratuar një amendament që i referohet përdorimit të gjuhës shqipe në provimet shtetërore të jurisprudencës në Maqedoninë e Veriut, duke i bërë thirrje autoriteteve të vendit që ta zgjidhin sa më shpejt këtë çështje.

Sipas amendamentit të miratuar, kërkohet garantimi i zbatimit praktik të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, jo vetëm në aspektin ligjor, por edhe në frymën e saj, duke siguruar të drejtat gjuhësore të komunitetit shqiptar.

Në dokumentin e Parlamentit Evropian theksohet se autoritetet e Maqedonisë së Veriut duhet të adresojnë pa vonesa çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe në provimet shtetërore, veçanërisht në fushën e jurisprudencës.

Po ashtu, eurodeputetët kanë kërkuar që protestat e studentëve të mos paraqiten si të motivuara politikisht apo si faktor destabilizues, duke vlerësuar se shqetësimet e tyre duhet të trajtohen në mënyrë institucionale dhe demokratike.

“I bën thirrje autoriteteve të Maqedonisë së Veriut që të zgjidhin sa më shpejt çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe në provimet shtetërore, për të siguruar zbatimin praktik të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit si në ligj ashtu edhe në frymë, dhe të mos i paraqesin në mënyrë të pasaktë protestat e studentëve si të motivuara politikisht apo si faktor destabilizues”, thuhet në amendamentin e miratuar.

Vendimi konsiderohet një sinjal i rëndësishëm nga institucionet evropiane për respektimin e të drejtave gjuhësore dhe për avancimin e standardeve demokratike në Maqedoninë e Veriut.

KAQPATA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *