Kryesia e Partia Demokratike e Kosovës ka refuzuar kërkesën e kryetarit të Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj, për të garuar në listën e përbashkët të PDK-së në zgjedhjet e 7 qershorit 2026.
Lajmin e ka konfirmuar kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, pas mbledhjes së Kryesisë së partisë, duke bërë të ditur se Limaj nuk do të jetë pjesë e listës zgjedhore të kësaj partie në këto zgjedhje.
Sipas Hamzës, PDK mirëpret mbështetjen politike të Limajt dhe të Nismës Socialdemokrate, por përfshirja e tyre në listën zgjedhore është shtyrë për proceset e ardhshme politike dhe zgjedhore.
“Është qëndrim i përgjithshëm i Kryesisë së PDK-së që fillimisht duhet të ndodhë një përkrahje për PDK-në nga Nisma Socialdemokrate, ndërsa në zgjedhjet e ardhshme do të trajtohet mundësia e integrimit të plotë”, deklaroi Hamza.
Ditë më parë, Limaj kishte shprehur publikisht interesimin që Nisma të bashkohej me PDK-në, duke e cilësuar Bedri Hamzën si kandidatin më të mirë për kryeministër.
Nisma Socialdemokrate nuk është certifikuar si subjekt i vetëm për zgjedhjet e 7 qershorit 2026. Në zgjedhjet parlamentare të fundit, partia nuk arriti të sigurojë ulëse në Kuvend kur garoi e vetme, ndërsa më herët kishte hyrë në Kuvend përmes koalicionit me Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Pas zgjedhjeve të vitit 2025, raportet mes Limajt dhe kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, u tensionuan për shkak të deklarimeve të Limajt për bashkëpunim me të gjitha forcat politike, përfshirë edhe Lëvizja Vetëvendosje.
KAQPATA

