Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kundërshtuar konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe zgjedhjen e Qeverisë së re, duke paralajmëruar se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar vlerësimin e ligjshmërisë së të gjithë procesit.
Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, dhe deputeti Përparim Gruda, në një konferencë për media, thanë se sipas qëndrimit të kësaj partie, Kuvendi nuk është konstituuar në mënyrë të rregullt për shkak të moszgjedhjes së nënkryetarit nga radhët e PDK-së.
Tahiri deklaroi se veprimet e ndërmarra nga Lëvizja Vetëvendosje pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit kanë shkelur, sipas tij, afatet kushtetuese dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
“Gjithçka që del nga ky Kuvend, ne do ta dërgojmë për shqyrtim të ligjshmërisë në Gjykatën Kushtetuese”, deklaroi Tahiri.
Ai akuzoi kryeministrin Albin Kurti se ka shpërfillur Kushtetutën dhe vendimet e Kushtetueses, duke thënë se institucionet duhet të funksionojnë në përputhje me rendin kushtetues.
Ndërkohë, deputeti Përparim Gruda tha se Kuvendi nuk mund të konsiderohet i konstituuar pa përfundimin e procesit të zgjedhjes së të gjithë nënkryetarëve.
Sipas Grudës, këtë e përcaktojnë Kushtetuta dhe disa aktgjykime të Gjykatës Kushtetuese, përfshirë rastet KO124/25, KO193/25, KO196/25 dhe KO265/25.
“Kuvendi nuk është konstituuar, pasi nuk është zgjedhur nënkryetari nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës”, tha Gruda.
Ai theksoi se PDK-ja nuk ka hequr dorë nga e drejta për të propozuar nënkryetarin, por se ka vendosur përkohësisht të mos e ushtrojë këtë të drejtë, derisa, sipas tij, të sqarohet situata kushtetuese.
PDK: Afatet kushtetuese kanë përfunduar
Gruda tha se afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit kishte përfunduar më 7 gusht, ndërsa më pas Vetëvendosje kishte përcaktuar si afat politik 6 shtatorin.
Sipas tij, asnjë prej këtyre afateve nuk është respektuar.
Ai shtoi se deputetët e PDK-së kanë marrë pjesë në seancat e thirrura për konstituimin e Kuvendit, duke pretenduar se në vend të përfundimit të procesit janë zhvilluar, sipas tij, “manovra procedurale dhe lojëra politike”.
“Nuk mund të funksionojë rendi kushtetues sipas standardit që njëra palë i shkel të gjitha afatet, thërret seanca kur dëshiron vetë dhe në fund deklaron se Kuvendi qenka konstituuar pa ne”, tha Gruda.
Paralajmërohet “precedent i rrezikshëm”
PDK-ja ka ngritur edhe shqetësimin se interpretimi i situatës aktuale mund të krijojë një precedent kushtetues.
Sipas Grudës, një interpretim i tillë do të mundësonte që një subjekt politik të përfitonte juridikisht nga shkelja e afateve kushtetuese.
PDK-ja ka bërë të ditur se ekspertët e saj juridikë tashmë janë duke përgatitur rastin që synon ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.
Kjo parti e konsideron gjithashtu Qeverinë e votuar nën drejtimin e Albin Kurtit si jokushtetuese dhe jolegjitime, ndërsa vendimin përfundimtar lidhur me ligjshmërinë e procesit pritet ta japë Gjykata Kushtetuese.
KAQPATA


