Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka dorëzuar në Kuvend një paketë amendamentesh që lidhen me procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke kërkuar forcim të kontrollit parlamentar mbi qeverinë, rritje të transparencës dhe garantim të standardeve demokratike gjatë këtij procesi.
Në propozimet e tyre, demokratët theksojnë nevojën që Kuvendi të ushtrojë një rol më të fortë mbikëqyrës në procesin e integrimit, duke siguruar cilësi në legjislacion dhe përafrim të plotë me të drejtën e BE-së. Po ashtu kërkohet rritje e kontrollit mbi financat publike, prokurimet, koncesionet dhe fondet evropiane.
Një pjesë e rëndësishme e paketës fokusohet te opozita, ku kërkohet pjesëmarrje e plotë në jetën parlamentare dhe respektim i rolit të saj kushtetues. PD kërkon gjithashtu zbatim të rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias për zgjedhje të lira dhe funksionim demokratik të institucioneve.
Në dokument theksohet edhe nevoja për respektim të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe forcim të lirisë së medias dhe transparencës së pronësisë mediatike. Sipas PD-së, këto masa janë kyçe për të mos devijuar procesi i integrimit evropian.
Në përmbyllje, demokratët kërkojnë që Kuvendi të refuzojë çdo nismë që, sipas tyre, bie ndesh me kursin e anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
KAQPATA


