Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka akuzuar Komunën e Prishtinës për shkelje ligjore lidhur me organizimin e transportit publik në kryeqytet, duke kërkuar ndërhyrje të institucioneve të drejtësisë.
Murati tha se shërbimet publike, përfshirë transportin urban, mund të ofrohen edhe nga operatorë privatë, por vetëm nëse respektohen procedurat e parapara në Ligjin për Partneritet Publiko-Privat (PPP).
Sipas tij, çdo formë bashkëpunimi në këtë fushë duhet të kalojë nëpër procedura të rregullta ligjore, me qëllim garantimin e transparencës dhe mbrojtjen e parasë publike.
“Komuna e Prishtinës nuk ka ndjekur asnjë procedurë që e obligon ligji në fuqi, prandaj çdo marrëveshje apo kontratë e lidhur në këtë drejtim është në shkelje të plotë të Ligjit për PPP”, ka deklaruar Murati.
Ai shtoi se institucionet e rendit dhe drejtësisë duhet të veprojnë sa më shpejt për të parandaluar dëmtimin e buxhetit publik dhe për të hetuar rastin.
Deklaratat e Muratit vijnë në një kohë tensionesh politike dhe debatesh të vazhdueshme për menaxhimin e shërbimeve publike në Prishtinë.
KAQPATA


