Ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, ka reaguar pas inspektimit të zhvilluar në qumështoren “Vita”, duke theksuar se kontrollet zyrtare të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) janë pjesë e mandatit ligjor dhe zbatohen në mënyrë të barabartë ndaj të gjithë operatorëve ekonomikë.

Në një njoftim të Ministrisë së Bujqësisë, Muja tha se mbrojtja e konsumatorit dhe zbatimi i legjislacionit për sigurinë ushqimore janë obligime institucionale që nuk bëjnë dallime mes kompanive.

“Gjatë ditës së sotme është realizuar kontroll zyrtar edhe në kompaninë ‘Vita’, në të njëjtën mënyrë si ndaj çdo operatori tjetër ekonomik që i nënshtrohet mbikëqyrjes institucionale. Qytetarët tanë duhet të dinë se çfarë hanë dhe çfarë pinë. Siguria ushqimore kërkon zbatim të barabartë të ligjit për të gjithë. Kontrollet nuk bëhen ndaj emrave të kompanive, por mbi bazën e mandatit ligjor. Askush nuk mund të jetë mbi ligjin”, deklaroi Muja.

Sipas tij, kontrollet zyrtare kanë për qëllim verifikimin e respektimit të protokolleve të prodhimit, standardeve të sigurisë ushqimore, vlefshmërisë së licencave dhe autorizimeve, si dhe përputhshmërisë së operatorëve ekonomikë me legjislacionin në fuqi.

Ministri theksoi se objektivi i këtyre veprimeve është mbrojtja e interesit publik, garantimi i sigurisë ushqimore, mbrojtja e shëndetit të konsumatorëve dhe krijimi i kushteve të barabarta për të gjithë prodhuesit dhe përpunuesit që respektojnë ligjin.

“AUV ushtron të njëjtin mandat në të gjitha segmentet e industrisë ushqimore dhe kontrollet zhvillohen pa dallim sektori, madhësie apo pozite në treg. Një sistem i besueshëm i kontrollit ushqimor rrit besimin e qytetarëve, mbron prodhimin vendor dhe forcon konkurrencën e ndershme në treg”, thuhet në reagimin e Ministrisë.

Ky reagim vjen pasi drejtori i qumështores “Vita”, Artan Spahija, njoftoi se fabrika është mbyllur për shtatë ditë pas inspektimit të AUV-së dhe hodhi akuza ndaj Qeverisë, duke pretenduar se vendimi është i padrejtë dhe dëmton prodhuesit vendorë.

KAQPATA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *