Diaspora kosovare pritet të ketë rol vendimtar në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit, ndërsa interesimi për regjistrim këtë herë ka qenë dukshëm më i lartë krahasuar me proceset e kaluara zgjedhore.
Sipas të dhënave të Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, deri të dielën në orën 10:00 janë pranuar mbi 117 mijë kërkesa për regjistrim të votuesve jashtë vendit. Prej tyre, mbi 99 mijë janë aprovuar, më shumë se 7 mijë janë refuzuar, ndërsa mbi 10 mijë të tjera mbeten në shqyrtim.
Nga aplikimet e aprovuara, mbi 73 mijë qytetarë janë regjistruar për të votuar përmes postës jashtë Kosovës, mbi 22 mijë për votim fizik në përfaqësi diplomatike dhe rreth 2 mijë e 500 për dërgimin e votës në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë.
Shtetet me numrin më të madh të votuesve të regjistruar mbeten Gjermania dhe Zvicra. Në Gjermani janë regjistruar mbi 49 mijë votues, ndërsa në Zvicër mbi 23 mijë.
Ish-kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka deklaruar se rritja e numrit të regjistrimeve lidhet edhe me faktin se në zgjedhjet e kaluara një pjesë e madhe e mërgimtarëve ndodheshin fizikisht në Kosovë gjatë procesit zgjedhor.
Sipas saj, këtë herë diaspora ka zgjedhur kryesisht votimin përmes postës, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e numrit të regjistrimeve.
Daka ka folur edhe për sfidat që janë shfaqur në procesin e votimit nga jashtë, duke përmendur dyshimet dhe pengesat që kanë përcjellë zgjedhjet e fundit.
Ajo tha se afati i shkurtër për organizimin e zgjedhjeve nuk i ka lënë kohë të mjaftueshme institucioneve për të eliminuar problemet teknike dhe dyshimet rreth transportimit të votave nga diaspora.
Votimi në përfaqësitë diplomatike do të mbahet më 6 qershor 2026, një ditë para zgjedhjeve që zhvillohen në Kosovë.
KAQPATA


