Komisionerja Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka shprehur keqardhje për interpretimin e një kënge nacionaliste serbe në një koncert të mbajtur në Bruksel, në prag të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian.
Kos ka theksuar se përzgjedhja e kësaj kënge nuk përfaqëson qëndrimet apo vlerat e Komisionit Evropian, duke kërkuar falje për situatën e krijuar.
Duke folur para gazetarëve, pak para fillimit të Forumit për Zgjerim, ajo tha se qëllimi i Evropës nuk është harrimi i dallimeve historike, por ndërtimi i një të ardhmeje të përbashkët, në të cilën ato nuk do të përbëjnë pengesë për bashkëpunimin.
Ajo gjithashtu theksoi se janë të njohura vuajtjet dhe sakrificat që kanë përjetuar njerëzit në këtë pjesë të Evropës gjatë së kaluarës.
Kënga shkaktoi reagime në Kosovë
Polemikat nisën pas një koncerti të organizuar të dielën, më 15 nëntor, ku u interpretuan këngë nga vendet e rajonit.
Në mesin e tyre ishte edhe kënga “Oj Kosovo, Kosovo”, e cila u përzgjodh në repertorin muzikor të përfaqësimit të Kosovës.
Kënga, e krijuar në vitin 1989 në kuadër të shënimit të 600-vjetorit të Betejës së Kosovës, lidhet me periudhën e ngritjes politike të ish-presidentit serb dhe jugosllav, Slobodan Millosheviq.
Interpretimi i saj në një aktivitet të organizuar në kryeqytetin belg shkaktoi reagime të ashpra nga zyrtarë të Kosovës, të cilët e cilësuan këtë veprim si të papranueshëm.
Kosova sërish pa përfaqësues në Forum
Forumi për Zgjerim është aktiviteti i dytë vjetor i Komisionit Evropian, i dedikuar procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian.
Në të marrin pjesë zyrtarë të lartë të BE-së, përfaqësues të vendeve kandidate për anëtarësim dhe organizata të shoqërisë civile.
Megjithatë, sipas raportimit të RTK-së, ky është viti i dytë radhazi që asnjë përfaqësues i institucioneve të Kosovës nuk është ftuar të marrë pjesë në këtë forum.
Kërkimfalja e Marta Kos vjen në një kohë kur interpretimi i këngës ka nxitur debat të madh për ndjeshmërinë historike dhe trajtimin e Kosovës në aktivitetet evropiane.
KAQPATA

