Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) ka bërë të ditur se po nis një fazë të re të veprimit politik, të bazuar në vlera socialdemokrate dhe orientim të qartë drejt integrimit evropian.
Në një komunikatë për media, partia thekson se përmes platformës programore “Vendi Yt, Shansi Yt” synon të adresojë sfidat kryesore me të cilat përballen qytetarët, përfshirë standardin e jetesës, korrupsionin dhe emigrimin e të rinjve.
Fokus në ekonomi dhe mirëqenie sociale
Sipas LSDM-së, programi i ri politik parashikon rritje të pagave, përmirësim të kushteve të punës, taksim të drejtë dhe forcim të luftës kundër korrupsionit.
Partia thekson gjithashtu rëndësinë e një sistemi gjyqësor të pavarur, si dhe qasje më të mirë në shëndetësi dhe arsim cilësor për qytetarët.
“Nisma e Shkupit” dhe orientimi evropian
Në kuadër të “Nismës së Shkupit”, LSDM e prezanton veten si një faktor unifikues në rajon, i cili mbështet politikat progresive dhe integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut.
Sipas deklaratës, kjo nismë synon të forcojë bashkëpunimin rajonal dhe të kundërshtojë korrupsionin dhe politikat që, sipas tyre, largojnë vendin nga rruga evropiane.
Partia thekson se synimi i saj mbetet përmirësimi i jetës së qytetarëve dhe krijimi i një shteti më funksional dhe më të drejtë.
KAQPATA


