Ka hyrë në fuqi ligji i ri për shtetësinë e Republikës së Kosovës, i cili sjell procedura më të shpejta, më të thjeshta dhe më moderne për qytetarët dhe bashkatdhetarët.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, përmes një video-mesazhi drejtuar mërgatës.
Sipas tij, ndryshimet e reja synojnë lehtësimin e procesit të aplikimit, veçanërisht për qytetarët që kanë humbur shtetësinë e Kosovës për arsye objektive dhe dëshirojnë ta rifitojnë atë.
Një nga risitë kryesore të ligjit është ulja e ndjeshme e dokumentacionit të kërkuar. Nga nëntë dokumente që kërkoheshin më herët, tani aplikuesve u mjafton vetëm kërkesa e plotësuar dhe dëshmia se nuk janë të dënuar për vepër penale me vendim të formës së prerë në shtetin ku jetojnë.
Sveçla njoftoi gjithashtu se aplikimi për shtetësi mund të bëhet edhe online përmes platformës e-Kosova, duke e bërë procesin më të qasshëm për bashkatdhetarët në diasporë. Po ashtu, afati i shqyrtimit të kërkesave është shkurtuar nga gjashtë muaj në vetëm 30 ditë.
Ligji i ri për shtetësinë e Kosovës është miratuar në Kuvendin e Kosovës në seancën e 23 prillit 2026.
Sipas autoriteteve, këto ndryshime synojnë modernizimin e procedurave administrative dhe lehtësimin e integrimit të mërgatës në jetën institucionale të vendit.
KAQPATA


