Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka refuzuar si të pabazuara ankesat e kandidatëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu dhe Qëndrim Kryeziu, të cilët kishin kërkuar rinumërim shtesë të votave pas zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit 2026.

Sipas vendimeve të marra më 22 qershor, trupi gjykues i përbërë nga Skender Çoçaj, Kymete Kicaj dhe Arsim Hamzaj vlerësoi se pretendimet e paraqitura nga dy kandidatët nuk ofrojnë bazë të mjaftueshme ligjore për aprovimin e kërkesave.

Bekim Haxhiu, përmes ankesës së dorëzuar më 19 qershor, kishte kërkuar zgjerimin e procesit të rinumërimit, duke argumentuar se pas rinumërimit të 185 vendvotimeve të urdhëruara nga KQZ-ja, atij i ishin evidentuar gjashtë vota shtesë.

Ai kishte theksuar se gabimet e konstatuara në këto vendvotime krijojnë dyshime të arsyeshme për pasaktësi të mundshme edhe në vendvotime të tjera. Haxhiu gjithashtu kishte potencuar se diferenca me kandidatin para tij në listë është vetëm 102 vota, duke e bërë çdo votë të rëndësishme për renditjen përfundimtare.

Ndërkohë, edhe kandidati tjetër i PDK-së, Qëndrim Kryeziu, kishte paraqitur ankesë në PZAP më 20 qershor. Ai kishte deklaruar se pas rinumërimit të parë të 185 vendvotimeve, iu ishin shtuar 589 vota në favor.

Kryeziu kishte kërkuar verifikimin e plotë të numërimit të votave preferenciale për kandidatët e PDK-së në nivel vendi, duke argumentuar se çdo votë mund të ndikojë në ndarjen e mandateve.

Megjithatë, PZAP ka vendosur të refuzojë edhe këtë kërkesë, duke e konsideruar të pabazuar.

Me këto vendime, mbeten në fuqi procedurat e deritanishme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) lidhur me procesin e rinumërimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).

KAQPATA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *