Kryetari i Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, i ka bërë thirrje kryeministrit në detyrë Albin Kurti që të ndalojë, siç u shpreh ai, “propagandën e urrejtjes” dhe keqpërdorimin e institucioneve shtetërore për interesa partiake.

Përmes një reagimi në Facebook, Hamza komentoi zhvillimet e fundit në Skenderaj, duke thënë se mbrëmjen e kaluar janë parë “skena aspak të mira”, ku sipas tij, njësitë speciale të Policisë së Kosovës janë dërguar në Drenicë me prapavija presioni dhe demonstrimi force.

“E porosis kryeministrin në detyrë të ndërpresë propagandën, të ndërpresë urrejtjen dhe, para së gjithash, t’i ndalë menjëherë provokimet dhe keqpërdorimin e shtetit për skenarë të tij partiakë”, ka deklaruar Hamza.

Ai shtoi se, sipas tij, Kurti nuk mund ta ndalojë humbjen e mbështetjes politike përmes “skenarëve të rrezikshëm përçarës”.

“Ndalu, Albin. Kërkoj nga votuesit e PDK-së dhe nga të gjithë qytetarët ta ruajnë gjakftohtësinë dhe të fokusohen në datën 7 qershor. Aty do ta japim me votë përgjigjen tonë ndaj politikës së përçarjes”, ka shkruar tutje Hamza.

Reagimi i liderit të PDK-së vjen pas tensioneve dhe incidenteve të raportuara së fundmi në Skenderaj, të cilat kanë nxitur përplasje dhe reagime të shumta në skenën politike të vendit.

KAQPATA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *