Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka deklaruar se PDK-ja nuk ka vendosur vija të kuqe ndaj asnjë partie politike për bashkëpunim, por ka theksuar se qëndrimi ndaj projektit të gazit amerikan mund të ndikojë në çdo marrëveshje të ardhshme qeverisëse.
Duke folur në emisionin “Debat Plus”, Gruda tha se dallimet mes PDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje mbeten të mëdha, veçanërisht në çështje që, sipas tij, lidhen me interesat strategjike të Kosovës.
Ai e cilësoi refuzimin e projektit të gazit amerikan nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, si një çështje serioze që, sipas tij, paraqet rrezik për zhvillimin ekonomik dhe orientimin strategjik të vendit.
“Nëse bëhet fjalë për një qeveri që e refuzon gazin amerikan dhe vazhdon me politika të tilla, atëherë një koalicion i tillë është i vështirë të imagjinohet. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se përjashtohen negociatat politike”, deklaroi Gruda.
Sipas tij, çështja e gazit amerikan nuk është vetëm ekonomike, por lidhet drejtpërdrejt me partneritetin strategjik të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Deklaratat e Grudës vijnë në një periudhë kur partitë politike po përgatiten për negociatat e mundshme pas përfundimit të procesit zgjedhor dhe certifikimit të rezultateve përfundimtare.
KAQPATA


