Komiteti për të Drejtat e Njeriut i Odës së Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit (BHRC) ka publikuar një raport vlerësues për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, duke ngritur disa shqetësime lidhur me funksionimin praktik të saj dhe respektimin e standardeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.
Raporti, i realizuar me kërkesë të Institucionit të Avokatit të Popullit në Kosovë, thekson se gjykata, ndonëse ka një kornizë ligjore përgjithësisht të qëndrueshme, përballet me sfida në zbatimin praktik të parimeve të drejtësisë.
Sipas gjetjeve, shqetësimet kryesore lidhen me proceset e lirimit nga paraburgimi, barazinë e armëve ndërmjet palëve, pranueshmërinë e provave dhe pavarësinë gjyqësore. Raporti vë në pah se këto çështje mund të ndikojnë në perceptimin e paanshmërisë së gjykatës.
BHRC thekson gjithashtu se struktura hibride e gjykatës – e përbërë nga elemente vendore dhe ndërkombëtare, me seli në Hagë – krijon sfida të veçanta për legjitimitetin dhe transparencën e saj.
Në rekomandimet e tij, raporti sugjeron forcimin e mekanizmave të kontrollit gjyqësor, rritjen e transparencës në përdorimin e provave dhe përmirësimin e të drejtave të mbrojtjes gjatë procesit penal.
Po ashtu, kërkohet monitorim i vazhdueshëm i pavarur për të siguruar që proceset gjyqësore të jenë në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare të drejtësisë.
KAQPATA


