Drejtori i Instituti për Krime të Luftës, Atdhe Hetemi, ka bërë të ditur se brenda këtij viti pritet të finalizohet databaza zyrtare për viktimat e luftës dhe personat e pagjetur në Kosovë.
Sipas Hetemit, Instituti tashmë është në fazën përfundimtare të përgatitjes së të dhënave, të cilat do të përfshijnë viktimat e vrara gjatë luftës, personat që humbën jetën si pasojë e plagëve apo rrethanave të luftës, si dhe kategorinë e të pagjeturve.
Ai ka theksuar se për secilën viktimë po përdoren minimumi tetë burime verifikimi, me qëllim që databaza të jetë sa më kredibile dhe zyrtare.
“Për neve është shumë e rëndësishme me pas një databazë që tregon sa ka qenë numri i njerëzve të vdekur, qoftë si viktima apo që kanë humbur jetën në forma të tjera. Besoj që kjo databazë do të lansohet këtë vit”, deklaroi Hetemi.
Drejtori i Institutit bëri të ditur se paralelisht po punohet edhe për databazën e masakrave të luftës në Kosovë, ku deri tani janë evidentuar 27 masakra.
Sipas tij, Instituti për Krime të Luftës ka arritur të grumbullojë mbi 405 metra material fizik arkivor, më shumë se 21 terabajt materiale digjitale, mbi 18 mijë orë video-incizime dhe mbi një milion fotografi që dokumentojnë krimet e luftës në Kosovë.
Hetemi tha se Instituti është shndërruar në një adresë të besueshme për qytetarët, familjarët e viktimave, gazetarët dhe organizatat që posedojnë dëshmi dhe materiale arkivore nga periudha e luftës.
Ai theksoi se misioni kryesor i Institutit mbetet dokumentimi i krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, ruajtja e kujtesës historike dhe krijimi i një baze të besueshme për studiuesit, institucionet dhe proceset e drejtësisë.
KAQPATA


