Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, është përfshirë në një debat të ashpër në rrjetet sociale me një qytetar, pas një komenti fyes të bërë në një postim publik.

Ngjarja ka ndodhur në Facebook, ku Totaj kishte publikuar një shkrim lidhur me gjuhën e urrejtjes dhe linçimin publik. Në komente, një qytetar e ka quajtur kryetarin “xhenaze”, një term që përdoret si fyerje për një person të dobësuar apo të rraskapitur.

Reagimi i kryetarit nuk ka vonuar. Ai i është përgjigjur komentuesit me fjalët: “Nëse ki fare familje, përshëndeti krejt me rend”, duke e përshkallëzuar debatin mes palëve.

Pas kësaj, qytetari ka vazhduar me replika të ashpra ndaj Totajt, duke përdorur sërish gjuhë fyese dhe duke e akuzuar për sjellje të papërshtatshme publike.

Pak minuta më pas, postimi dhe komentet janë fshirë nga faqja e kryetarit. Sipas raportimeve, Totaj ka deklaruar se faqja menaxhohet nga një administrator dhe se ai ka ndërhyrë për largimin e përmbajtjes sapo ka vërejtur situatën.

Në një përgjigje me shkrim për mediat, ai ka theksuar se komentet fyese e kanë nxitur reagimin, ndërsa ka shmangur dhënien e detajeve për identitetin e administratorit të faqes.

Debati është zhvilluar në kuadër të një postimi ku Totaj kishte folur për gjuhën e urrejtjes, dezinformimin dhe linçimin publik në hapësirën digjitale.

Rasti ka ngjallur reagime dhe diskutime në opinionin publik për kufirin mes lirisë së shprehjes dhe gjuhës së urrejtjes në rrjetet sociale.

KAQPATA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *