Bojan Jevtiq është dënuar me gjashtë vjet burgim nga Gjykata Themelore në Prishtinë, pasi pranoi fajësinë për veprat penale të spiunazhit dhe armëmbajtjes pa leje.
Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Kushtrim Shyti, Jevtiq u dënua me 6 vjet burg për veprën penale “Spiunazhi”, ndërsa për armëmbajtje pa leje iu shqiptua gjobë prej 2 mijë eurosh.
Gjykata vendosi dënim unik prej gjashtë vitesh burgim dhe gjobë prej 2 mijë euro, ndërsa ndaj tij vazhdoi masa e paraburgimit.
Po ashtu, u urdhërua shkatërrimi i armës së sekuestruar dhe konfiskimi i të gjitha mjeteve të gjetura gjatë hetimeve, përfshirë 2 milionë dinarë serbë, 7 mijë euro dhe 5 mijë franga zvicerane.
Përveç dënimit me burg, Jevtiqit iu ndalua ushtrimi i funksioneve publike në administratë për një periudhë prej pesë vitesh pas përfundimit të vuajtjes së dënimit.
Në seancën për shpalljen e aktgjykimit morën pjesë prokurori special Bekim Kodraliu dhe avokati mbrojtës Millosh Nikoliq.
Palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi brenda afatit ligjor prej 30 ditësh.
KAQPATA


