Ushtria izraelite ka ndërmarrë një operacion ndaj flotës humanitare “Global Sumud”, e cila ishte nisur drejt Rripit të Gazës me synimin për të sfiduar bllokadën izraelite.

Sipas raportimeve nga mediat izraelite dhe transmetimeve të drejtpërdrejta nga flotilja, forcat detare izraelite kanë hipur në anijet e flotës njëra pas tjetrës në ujërat ndërkombëtare.

E përditshmja izraelite “Yedioth Ahronoth” raportoi se ushtarët izraelitë janë parë pranë njërës prej anijeve që po lundronte drejt Gazës, ndërsa më vonë u bë e ditur se aktivistët në bord janë ndaluar dhe po transferohen në një anije të marinës izraelite.

Sipas raportimeve, aktivistët pritet të transportohen më pas drejt portit të Ashdodit.

Nga ana tjetër, organizatorët e flotës “Global Sumud” deklaruan se nuk do të tërhiqen pavarësisht afrimit të anijeve ushtarake izraelite.

“Jemi në gatishmëri të lartë ndërsa vazhdojmë drejt Gazës. Refuzojmë të na frikësojnë”, thuhet në deklaratën e flotiljes.

Flota humanitare përbëhet nga 54 anije dhe ishte nisur nga distrikti turk i Marmarisit në një përpjekje të re për të thyer bllokadën izraelite ndaj Gazës, e cila vazhdon që nga viti 2007.

Ngjarja vjen në një kohë tensionesh të larta në Lindjen e Mesme dhe pritet të shkaktojë reagime ndërkombëtare lidhur me ndërhyrjen e ushtrisë izraelite ndaj flotës humanitare.

KAQPATA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *