Këshilli Prokurorial i Kosovës ka shpallur zyrtarisht konkursin për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit, pas një mbledhjeje të shoqëruar me debate dhe akuza për ndikime politike në proces.

Vendimi u miratua me pesë vota për, një kundër dhe asnjë abstenim, ndërsa konkursi do të mbetet i hapur për 15 ditë pune.

Gjatë diskutimeve, anëtari i KPK-së, Milot Krasniqi, kritikoi mënyrën se si po zhvillohet procesi, duke deklaruar se zgjedhja e Kryeprokurorit të Shtetit është bllokuar qëllimisht prej katër vitesh.

Ai ngriti dyshime për urgjencën e procedurës dhe tha se Këshilli nuk duhet të ndikohet nga pushtetet e tjera.

“Këshilli duhet të tregojë integritet dhe të mos zhvillojë procese nën ndikimin e askujt”, deklaroi Krasniqi.

Sipas tij, nëse gjatë procesit të kaluar ka pasur shkelje për zgjedhjen e Kryeprokurorit, institucionet kompetente kanë pasur mekanizma ligjorë për t’i trajtuar ato.

Krasniqi kritikoi edhe ish-presidenten Vjosa Osmani për mosdekretimin e Blerim Isufajt në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, duke thënë se nuk ekziston vendim formal, por vetëm një njoftim për mosdekretim.

Ai përmendi edhe një letër të ardhur nga ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, përmes së cilës është kërkuar shpallja e konkursit, duke e cilësuar këtë si ndërhyrje në punën e KPK-së.

“Do të krijohet një precedent i rrezikshëm që të mos dekretohet Kryeprokurori vetëm pse nuk i pëlqen emri dikujt”, tha ai.

Në anën tjetër, kryesuesi i KPK-së, Arian Gashi, deklaroi se pozita e Kryeprokurorit të Shtetit ka mbetur për një kohë të gjatë me ushtrues detyre dhe se emërimi nuk mund të bëhet pa dekretin e Presidentit.

Ndërkohë, anëtari tjetër i Këshillit, Visar Krasniqi, e cilësoi të pakuptimtë kundërshtimin ndaj shpalljes së konkursit, duke theksuar se mungesa e Kryeprokurorit po krijon pengesa në funksionimin e sistemit prokurorial.

Ai shtoi se edhe partnerët ndërkombëtarë kanë kërkuar që ky proces të ecë përpara.

Në fund, KPK votoi pro hapjes së konkursit për Kryeprokuror të Shtetit, duke hapur kështu një nga proceset më të rëndësishme në sistemin e drejtësisë në Kosovë.

KAQPATA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *