Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka premtuar rritje të shtesave për fëmijë dhe mbështetje më të madhe për lehonat gjatë mandatit të ardhshëm qeverisës.
Gjatë një tryeze të organizuar nga Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Familjes, Kurti deklaroi se synimi i Qeverisë është që shtesat për fëmijë të dyfishohen, duke arritur nga 60 deri në 90 euro.
Sipas tij, deri më tani nga skema e shtesave për fëmijë kanë përfituar mbi 400 mijë fëmijë në Kosovë, ndërsa më shumë se 80 mijë nëna kanë përfituar nga mbështetja për lehonat.
“Kur nisëm me 10 dhe 20 euro pati tallje dhe përqeshje për këtë politikë. Sot çdo familje që plotëson kushtet merr nga 30 deri në 45 euro, varësisht nga numri i fëmijëve. Synimi ynë është që në mandatin e ardhshëm këto shtesa të rriten nga 60 deri në 90 euro”, deklaroi Kurti.
Ai shtoi se edhe mbështetja për lehonat pritet të rritet në të ardhmen, nga 325.9 euro sa është aktualisht, në 500 euro në muaj.
Kurti theksoi se programet sociale për familjet dhe fëmijët do të mbeten prioritet i ekzekutivit edhe në vitet e ardhshme.
KAQPATA


